Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka paralajmëruar konsumatorët e kyçur në rrjetin publik se mosnënshkrimi i kontratës për shërbime mund të çojë në ndërprerje të furnizimit me ujë. Fushata për ndërgjegjësimin e tyre ka filluar më 4 mars 2026, ndërsa rreth 110 mijë konsumatorë ende nuk e kanë nënshkruar dokumentin.
Zëdhënësja e kompanisë, Arjeta Mjeku, në intervistë për Ekonomia Online, e cilësoi kontratën si obligim ligjor për të dyja palët. Ajo shpjegoi se dokumenti përcakton qartë të drejtat dhe detyrimet, duke rregulluar marrëdhëniet juridike mes ofruesit dhe konsumatorit.
Arjeta Mjeku theksoi se konsumatorët që refuzojnë nënshkrimin duhet të japin arsye. Në të kundërt, kompania është e detyruar të veprojë. "Në afat kohor prej 10 ditësh në momentin që u dorëzohet kontrata konsumatorit, nëse nuk e nënshkruan, ai automatikisht edhe e refuzon shërbimin dhe mund të shkyçet nga rrjeti i furnizimit me ujë", deklaroi ajo.
Kontrata përfshin kushtet për ofrimin e shërbimeve, pagesën, tarifat e caktuara nga Autoriteti Rregullator për Shërbime të Ujit, si dhe procedurat për zgjidhjen e kontesteve. Kompania nënshtrohet këtyre rregullave për të garantuar standardet e shërbimit.