Këshilli i Ministrave ka miratuar transferimin e kuotave të kapitalit në masën 10% (dhjetë për qind), që zotëroheshin nga shoqëria Albcontrol sh.a. në shoqërinë Air Albania sh.p.k., tek Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit. Me këtë vendim, Ministria ushtron të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga cilësia e ortakut në Air Albania. Shoqëritë Albcontrol dhe Ministria ngarkohen për zbatimin e vendimit, i cili hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Air Albania u themelua në vitin 2018 si partneritet publik-privat mes Shqipërisë dhe Turqisë. Aksionarët kryesorë ishin Turkish Airlines me rreth 49% të aksioneve, MDN Investment me 41% dhe Albcontrol me 10%.
Më 19 nëntor të vitit të kaluar, Turkish Airlines njoftoi vendimin për të shitur pjesën e saj prej 49% në Air Albania. Një javë më pas, kompania turke bllokoi shitjen e biletave tranzit përmes Air Albania, duke detyruar udhëtarët të zgjidhnin rute alternative si Podgorica ose Prishtina. Kjo çoi në anulime fluturimesh drejt Stambollit nga operatori shqiptar.
Së fundmi, Turkish Airlines ka njoftuar nisjen e fluturimeve direkte nga Tirana, duke konkurruar drejtpërdrejt Air Albania.