Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hedhur në konsultim publik projektligjin “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror mbi 51 për qind në likuidim”. Ky projektligj synon mbylljen përfundimtare të këtyre shoqërive, të cilat ndodhen prej vitesh në proces likuidimi dhe nuk ushtrojnë veprimtari ekonomike.
Këto shoqëri, në pronësi dhe përgjegjësi administrative të Ministrisë, ekzistojnë ende si subjekte juridike kryesisht për administrimin e aseteve dhe trajtimin e detyrimeve të mbartura. Procesi i likuidimit nuk është përmbyllur për shkak të detyrimeve të vjetra, të cilat në shumicën e rasteve janë të parashkruara, të pajustifikuara, të regjistruara gabimisht ose ndaj subjektesh që nuk ekzistojnë më juridikisht.
Ndër shoqëritë e prekura janë:
- Alb Bakër sh.a., në likuidim që nga viti 2004;
- Albkrom sh.a.;
- Albminiera sh.a.;
- Prodhim Mobilje sh.a.;
- Petrol Alba sh.a.;
- Duhan-Cigare sh.a.;
- Albkontroll sh.a.;
- Superfosfat Kurbin sh.a.;
- Qendra e Regjistrimit të Aksioneve.
Këto shoqëri mbartin detyrime që nuk përfaqësojnë borxhe reale financiare, por njëkohësisht posedojnë pasuri si troje, ndërtesa industriale dhe fabrika. Pas mbylljes, asetet do të kalojnë tek një shoqëri e vetme tregtare shtetërore.