Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Palët diskutuan mbi zhvillimet në raport me BE-në, situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ecurinë e procesit të dialogut.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua çështjes së kthimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë, të cilët dhanë dorëheqjen katër vite më parë. Kurti deklaroi se qeveria që ai drejton insiston në respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.
Sipas kryeministrit, institucionet duhet të përfaqësojnë të gjitha komunitetet përmes integritetit profesional dhe etik. Ai vlerësoi se dorëheqjet kolektive në veri të Ibrit kishin për qëllim dëmtimin e karakterit shumetnik të sistemit demokratik. Në këtë drejtim, Kurti nënvizoi se çdo proces i ardhshëm duhet të garantojë pavarësinë dhe cilësinë e drejtësisë, duke respektuar njëkohësisht parimin e shumetnisë.
Takimi u mbyll me theksimin e rëndësisë së respektimit dhe mosshkeljes së Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, si dokumente kyçe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.