Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, vizitoi dje veprimtarin e çështjes kombëtare Mehmet Hajrizi në përvjetorin e protestave studentore të vitit 1981, të cilat u shndërruan shpejt në demonstrata gjithëpopullore.
Në postimin e tij në Facebook, Kurti nënvizoi se Hajrizi nuk është thjesht një veprimtar politik, por vjen nga një familje e përfshirë në aktivizëm dhe përndjekje nga regjimi serb që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar.
Ai punoi për 15 vjet në arsim, duke edukuar breza nxënësish. Një nga momentet më të rënda ishte arrestimi i tij i dytë në sallën e mësimit para nxënësve, pas arrestimit të parë në vitin 1979.
Në fillim të viteve ’70 u formua organizata ilegale Grupi Revolucionar i Kosovës, një nga më seriozet dhe jetëgjata të lëvizjes. Ajo u udhëhoq fillimisht për një vit nga Kadri Osmani, ndërsa më pas për tetë vjet nga Mehmet Hajrizi.
Hajrizi, bashkë me shokët, mori pjesë në themelimin e shtypit të parë klandestin, ku shërbeu si kryeredaktor. Ndër botimet ishin Zëri i Kosovës, Pararoja, Liria, Këngët e lirisë dhe trakte politike që përhapën frymën e rezistencës me kërkesa për liri, drejtësi, Republikë dhe bashkim kombëtar.
Ai u arrestua më 18 dhjetor 1981 dhe u dënua më 10 korrik 1982 me 12 vjet burg të rëndë bashkë me një grup veprimtarësh. Udhëheqjen e organizatës e mori atëherë Kadri Zeka, i cili u vra një vit më vonë së bashku me Jusuf Gërvallën dhe Bardhosh Gërvallën.
Kurti përfundoi se lufta çlirimtare e fundit në Kosovë ishte pa dyshim produkt i shumë brezave që u angazhuan për liri dhe avancimin e çështjes kombëtare.