Kuvendi i Kosovës mban sot, më 13 shkurt 2026, seancë të jashtëzakonshme plenare, duke filluar prej orës 15:00. Në rendin e ditës janë plotësimi i një vendimi për komisionet parlamentare, ratifikimi i pesë marrëveshjeve ndërkombëtare dhe shqyrtimi i parë i projektbuxhetit për vitin fiskal 2026.
Seanca vjen një ditë pasi Kuvendi mbajti një tjetër seancë të jashtëzakonshme, në të cilën u miratua një rezolutë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që gjykohen në Hagë.
Rendi i ditës
• Pika 1: Plotësimi i Vendimit të Kuvendit Nr. 10/V-006, datë 12.02.2026, lidhur me përbërjen e komisioneve parlamentare.
• Pika 2: Shqyrtimi i Projektligjit Nr. 10/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje.
• Pika 3: Shqyrtimi i Projektligjit Nr. 10/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”, ndërmjet Republikës së Kosovës – e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore).
• Pika 4: Shqyrtimi i Projektligjit Nr. 10/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian (Komisioni Evropian si huadhënës), Republikës së Kosovës si huamarrës dhe Bankës Qendrore të Kosovës si agjent i huamarrësit.
• Pika 5: Shqyrtimi i Projektligjit Nr. 10/L-005 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës (Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve) dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas” – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë.
• Pika 6: Shqyrtimi i Projektligjit Nr. 10/L-006 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës (Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve) dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”.
• Pika 7: Shqyrtimi i parë i Projektligjit Nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Përditësime
- Seanca filloi me 40 minuta vonesë, në orën 15:40.
- Deputetët Uran Ismaili dhe Afërdita Hajrizi betuan pasi kishin munguar në seancën konstituive.
- Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu lexoi tekstin e betimit.