Qeveria shqiptare ka depozituar në Kuvend një paketë ndryshimesh në ligjin nr. 66/2023, që synon modernizimin dhe unifikimin e procedurave për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje. Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet vijnë si përgjigje ndaj vonesave dhe mbivendosjes së kompetencave që janë evidentuar gjatë zbatimit të kuadrit ligjor aktual.
Centralizimi i kompetencave
Në thelb të kësaj nisme është shkrirja e Komisionit të Objekteve të Konfiskuara dhe kalimi i të gjitha kompetencave vendimmarrëse te Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Ky institucion do të bëhet organi unik përgjegjës për zhvillimin, shitjen dhe monitorimin e këtyre pasurive, duke synuar reduktimin e burokracisë dhe amortizimit të objekteve.
Procedurat për ndërtimet e pambyllura dhe vetëdeklarimi
Projektligji parashikon procedura të reja për godinat ku investimi ka mbetur i papërfunduar. Për këto raste, shteti do të realizojë vlerësime teknike dhe përcaktim kostosh, ndërsa përfundimi i punimeve do të kryhet nga operatorë ekonomikë të përzgjedhur përmes prokurimit publik, me autoritetin kontraktor të caktuar rast pas rasti nga Këshilli i Ministrave.
Një tjetër element thelbësor është hapja e një periudhe tranzitore 6-mujore për vetëdeklarimin e ndërtimeve pa leje pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT). Subjektet që deklarojnë vullnetarisht objektet brenda këtij afati do të përfitojnë të drejtën e parablerjes. Për më tepër, projektligji rregullon marrëdhëniet me pronarët e truallit dhe personat e tretë, duke përfshirë mundësitë për kompensim financiar dhe njohjen e kontratave të kleringut.
Përdorimi publik dhe fondi i posaçëm
Objektet e konfiskuara do të mund të përdoren për qëllime të strehimit social ose interesit publik, duke iu kaluar në pronësi apo administrim institucioneve shtetërore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore. Për të garantuar financimin e këtyre proceseve, ligji parashikon krijimin e një fondi të veçantë, i cili do të mbulojë shpenzimet e vlerësimeve teknike, përfundimin e punimeve dhe detyrimet ndaj palëve të treta, pa sjellë efekte shtesë për buxhetin e shtetit.
Përditësime
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka arkëtuar deri tani 3.5 milionë euro nga shitja e 5 objekteve të konfiskuara. Institucioni ka marrë në administrim gjithsej 26 objekte në zbatim të ligjit nr. 66/2023. AAPSK pret arkëtimin e 9 milionë eurove shtesë nga kontratat me subjektin zhvillues Xhelux. Dy objekte i janë transferuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërsa janë lidhur kontrata premtim-shitjeje për 3 objekte të tjera.