Deputetët në Kuvendin e Malit të Zi kanë miratuar ndryshimet në Ligjin për Sigurimin Shëndetësor, të cilat garantojnë të drejtën për dy ditë pushim të paguar në muaj për gratë që vuajnë nga dismenorrea sekondare. Ky vendim synon të eliminojë paragjykimet në vendin e punës dhe të sigurojë një trajtim të përshtatshëm për gratë me diagnoza gjinekologjike.
Sipas ligjit të ri, kjo e drejtë u takon personave të diagnostikuar me gjendje patologjike që shkaktojnë cikle menstruale të dhimbshme. Ndër gjendjet e përfshira janë:
- Endometrioza
- Miomat dhe fibromat
- Polipet e endometrit
- Inflamacioni i vezoreve
- Vezoret policistike
- Simptoma si dispareunia (dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale), dizuria (dhimbje gjatë urinimit), infertiliteti ose gjakderdhja më e bollshme se normalja.
Nisma u paraqit nga deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviq në mars të këtij viti, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Projektligji mori mbështetje unanime nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, si dhe nga Komisioni Legjislativ.
Sa i përket procedurës, diagnoza e dismenorresë sekondare duhet të përcaktohet nga një mjek specialist. Gratë e siguruara janë të detyruara të rinovojnë vërtetimin mjekësor jo më vonë se 31 dhjetori i vitit aktual, ndërsa dokumenti duhet t'i dorëzohet punëdhënësit deri më 30 janar të vitit pasardhës. Ky status i veçantë i paaftësisë së përkohshme për punë do të trajtohet si leje mjekësore.