Mario Përlleshaj ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila e dënoi me 16 vite heqje lirie për vrasjen e Martin Canit dhe tentativën e vrasjes së Luis Mecajt. Ankimi u paraqit së fundmi në Gjykatën e Apelit.
Sipas argumenteve të avokatit të mbrojtjes, ndaj të pandehurit nuk mund të rëndojë akuza për vrasje në rrethana cilësuese. Mbrojtja pretendon se ngjarja ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes dhe nën ndikimin e një tronditjeje të fortë psiqike. Këto pretendime u paraqitën edhe në gjykimin e shkallës së parë, por nuk u pranuan.
Më 9 dhjetor 2025, Përlleshaj u dënua me 12 vite burg për vrasjen e Martin Canit dhe me 10 vite për tentativën e vrasjes së Luis Mecajt. Pas bashkimit të dënimeve, masa përfundimtare u përcaktua në 16 vite heqje lirie.
Ngjarja ndodhi në ambientet e shkollës "Fan Noli", ku një konflikt mes të miturve përshkallëzoi në përdorimin e thikës. Si pasojë, Martin Cani humbi jetën, ndërsa Luis Mecaj u plagos dhe mori trajtim mjekësor.
Prokuroria ngriti akuzë për vrasje dhe plagosje të rëndë, duke kërkuar dënim maksimal. Gjykata e shkallës së parë vendosi një masë më të ulët se kërkesa e organit të akuzës.
Pas kësaj ngjarje, u morën masa në shkollë dhe qeveria vendosi mbylljen e rrjetit social TikTok.