Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur një masë përkohshme që nuk ka ndikuar në funksionimin e ekzekutivit. Qeveria vazhdon agjendat politike brenda kompetencave ligjore, siç nënvizojnë njohës të çështjeve politike.
Ekzekutivi zhvillon politika, ndërmerr iniciativa dhe merr vendime të pavarura nga legjislativi. Pengesat lidhen vetëm me agjendën legjislative, e cila mbetet e pezulluar deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Këtu përfshihen marrëveshjet ndërkombëtare dhe sektorë të tjerë që kërkojnë ndërveprim me Kuvendin e Kosovës.
Analisti politik Dorajet Imeri deklaroi: "Në kuptimin e agjendës legjislative e pengon punën e qeverisë, por në kuptimin e punëve të tjera në asnjë rrethanë nuk e pengon atë. Uroj që kjo të përfundojë sa më parë përkatësisht në datën e duhur në mënyrë që të mos kemi nevoja për rrethana të reja. Klasa jonë politike duhet të reflektojë. Sikur pushteti ekzistues, sikur shumica e re, sikundër edhe partitë që kanë humbur zgjedhjet për të kaluar nga kjo rrethanë që jemi, që nuk është dobiprurëse për Republikën e Kosovës".
Analisti Sadik Zeqiri theksoi: "Qeveria është duke i kryer funksionet e veta të përcaktuara me ligj. Përpos vendimeve që duhet të kalojnë përmes Kuvendit të Kosovës, aty nuk mund të veprojë. Përndryshe ministritë i kanë përgjegjësitë e ndara dhe mund të funksionojnë normalisht".
Sipas njohësve, disa marrëveshje ndërkombëtare kanë mbetur të pezulluara, pasi legjislativi nuk i ka hedhur në votim në kohë. Qartësi për rolin e Kuvendit dhe deputetëve pritet nga vetë Gjykata Kushtetuese.