Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka reaguar ndaj deklaratave të bëra nga Daut Haradinaj në emisionin “Debat Plus”, duke i cilësuar si të pasakta pretendimet se dy persona nga komuniteti serb, Milovan Bojoviq dhe Suzana Rankoviq, janë pajisur me shtetësi të Kosovës përmes proceseve të reja.
Sipas të dhënave zyrtare, Suzana Rankoviq figuron si qytetare e Kosovës që nga viti 2001, kur ka poseduar dokumente të UNMIK-ut, ndërsa në vitin 2015 ka konvertuar dokumentet e saj në ato të Republikës së Kosovës. Për Milovan Bojoviq, ministria njoftoi se ai është regjistruar për herë të parë në vitin 2007, fillimisht me dokumente të UNMIK-ut, ndërsa letërnjoftimin e Kosovës e ka marrë në vitin 2011.
MPB theksoi se Bojoviq nuk ka realizuar shërbime të tjera në sistemin e gjendjes civile që nga ajo kohë. Më 8 prill 2016, ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, por Gjykata e Apelit kishte vendosur ndërprerjen e masës së paraburgimit, pas së cilës ai u largua nga territori i vendit. Ministria u bëri thirrje akterëve politikë që deklaratat publike t’i bazojnë në fakte të verifikuara për të shmangur dezinformimin e opinionit publik.