Gjysmëvjetori i dytë shkollor ka filluar sot në shumicën e komunave të Kosovës, por jo në të gjitha për shkak të motit të pafavorshëm, vërshimeve dhe problemeve me ngrohjen. Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një bisedë për Kosovapress, ka njoftuar se në disa zona mësimi është shtyrë ose riorganizuar.
Sipas deklaratës së saj, në tre komuna kryesore – Drenas, Malishevë dhe Fushë Kosovë – fillimi i procesit mësimor është shtyrë plotësisht. Në Malishevë, arsyeja kryesore janë reshjet e dendura dhe vështirësitë në komunikacion, ndërsa në Drenas dhe Fushë Kosovë kanë ndikuar edhe problemet me ngrohjen. Ministrja ka theksuar se Ministria e Arsimit ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me komunat për të monitoruar situatën.
Probleme me ngrohjen janë raportuar edhe në shkolla individuale në komuna të tjera. Në Prishtinë, mësimi ka filluar në të gjitha institucionet. Në Ferizaj, vetëm shkolla në fshatin Tërn nuk ka nisur për shkak të mungesës së ngrohjes, ndërsa në të tjerat procesi po zhvillohet normalisht. Në Kaçanik, Lipjan dhe Shtime, mësimi është filluar, por me riorganizim nga ana e komunave.
Në Prizren, Suharekë, Dragash dhe Mamushë, mësimi ka filluar sot, por me vonesë vetëm në dy shkolla të Prizrenit për shkak të problemeve me ngrohjen qendrore. Po ashtu, në Vushtrri, mësimi nuk ka filluar në shkollën Dëshmorët në fshatin Zhilivodë për të njëjtën arsye. Ministrja Nagavci ka vlerësuar këto situata si keqorganizim nga kompetencat komunale dhe absurde, duke theksuar se çdo orë e humbur duhet të zëvendësohet.
Ajo ka njoftuar se Ministria do të përgatisë një plan për rikuperimin e orëve të humbura dhe do ta ndajë me komunat përkatëse, duke u bazuar në informacionet e marra nga kontaktet e fundit.