Familjarë, miq dhe kolegë i dhanë lamtumirën e fundit aktorit të shquar Koço Qëndro, i cili u nda nga jeta në moshën 99-vjeçare. Ceremonia e lamtumirës u zhvillua në mënyrë private, duke respektuar amanetin e lënë nga vetë aktori vetëm një javë para vdekjes.
Sipas kërkesës së tij, trupi i aktorit nuk u vendos për homazhe në Teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë, skenë ku ai kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij artistike. Familjarët vendosën ta zbatojnë këtë dëshirë, duke organizuar një ceremoni të thjeshtë në një agjenci funerale të qytetit.
Koço Qëndro la pas një trashëgimi të vyer artistike. Një ndër rolet e tij më të spikatura mbetet ai i Harpagonit në komedinë “Kopraci”, të cilin e riktheu në skenë edhe në moshën 93-vjeçare. Vendimi i tij për të shmangur homazhet institucionale është ndërlidhur nga mediat me zhgënjimin e shprehur nga aktori për mungesën e vlerësimit institucional. Gjatë viteve të fundit, Qëndro kishte shprehur publikisht pengun për faktin se nuk kishte përfituar një pension të veçantë, pavarësisht kontributit të tij disadekadësh në artin shqiptar.