Në Spitalin Rajonal Memorial Fier është realizuar me sukses një procedurë mjekësore e avancuar për zhbllokimin e arterieve të zemrës, duke shënuar herën e parë që një ndërhyrje e tillë kryhet në një spital publik në territorin e Shqipërisë. Bëhet fjalë për procedurën koronare perkutane (PCI) me qasje retrograde, e cila shoqërohet me teknikën specifike të njohur si "reverse CART".
Pacienti, një 72-vjeçar i diagnostikuar me një formë të rëndë dhe komplekse të sëmundjes së arterieve koronare, paraqiste një nivel të lartë rreziku. Kjo metodë e avancuar zbatohet në rastet kur enët e gjakut që furnizojnë zemrën janë të bllokuara në mënyrë të tillë, saqë metodat standarde të trajtimit nuk rezultojnë të mjaftueshme. Përmes qasjes retrograde, mjekët mund të arrijnë te bllokimi duke përdorur një rrugë alternative brenda enëve të gjakut, duke shmangur kështu nevojën për një ndërhyrje kirurgjikale të hapur në zemër.
Ekipi mjekësor që realizoi këtë procedurë nën drejtimin e kardiologut dr. Amarildo Voci, përbëhej nga:
• dr. Ndriçim Kallashi
• dr. Marsjon Qordja
• dr. Briand Shehu
• infermieri Ermir Tajari
Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ky sukses është një hap përpara në fushën e kardiologjisë, pasi ofron alternativa të reja dhe më pak invazive për pacientët që vuajnë nga sëmundje komplekse koronare dhe që konsiderohen si raste me risk të lartë. Procedura synon rikthimin e qarkullimit normal të gjakut në muskulin e zemrës duke mundësuar trajtimin e bllokimeve të vështira përmes hemodinamikës.