Drafti i Kodit të Ri Penal, që pritet të shqyrtohet në Kuvend, përfshin nenin 108/b, i cili parashikon dënim penal për organizimin e udhëtimeve jashtë Shqipërisë me qëllim kryerjen e veprave seksuale të përcaktuara në Kodin Penal. Kjo dispozitë zbatohet pavarësisht nëse veprimet janë të ndaluara në vendin ku ndodh udhëtimi.
Neni 108/b thotë se organizimi i udhëtimeve për të tjerët, për shpërblim ose jo, për kryerjen e veprave penale të parashikuara në seksionin përkatës ose në nenet 114, 114/a/1 dhe 117, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet. Kjo përfshin praktika si shfrytëzimi seksual i të miturve, përfshirja e tyre si dëshmitarë të abuzimit dhe organizimi i udhëtimeve për prostitucion ose marrëdhënie intime të paligjshme.
Përgjegjësia penale shtrihet te personi që organizon udhëtimin, nëse gjatë tij kryhet një vepër penale seksuale sipas Kodit Penal shqiptar. Drafti nuk kufizohet te rastet me shpërblim financiar, por përfshin edhe organizimet pa dobi ekonomike.
Pasojat për personat juridikë
Nëse veprimtaria kryhet nga një person juridik, si kompani ose biznes, gjykata vendos, krahas dënimeve individuale, edhe mbarimin e personit juridik, pra mbylljen përfundimtare të subjektit.
Dilema ligjore
Drafti nuk sqaron mënyrën e provimit të veprave të kryera jashtë Shqipërisë, duke ngritur pyetje te juristët për standardin e provës dhe zbatimin praktik.
Drafti ka qarkulluar që nga vera e 2025-ës dhe synon ashpërsimin e dënimeve për krimet seksuale, duke kriminalizuar për herë të parë edhe forma të reja si përfshirja e fëmijëve si dëshmitarë abuzimi.