Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se Ministria ka nisur programin për rijetëzimin e kullave tradicionale në katër qarqe dhe 14 bashki të veriut të Shqipërisë. Ky program, i mbështetur nga GIZ Shqipëri, shtrihet në qarqet Dibër, Kukës, Shkodër dhe Lezhë dhe lidh trashëgiminë kulturore me turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Programi trajton kullat jo vetëm si monumente kulture, por si hapësira funksionale dhe të gjalla, të integruara në zhvillimin turistik, kulturor dhe ekonomik të zonave. Synon kthimin e tyre në bujtina, qendra kulturore, muze lokalë dhe pika edukimi, si pjesë e itinerareve turistike që ofrojnë përvoja autentike për vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë.
Mbledhja e të dhënave
Në këtë kuadër, është përgatitur një pyetësor informues për mbledhjen e të dhënave mbi:
- Gjendjen fizike dhe funksionale të kullave;
- Historikun dhe karakteristikat arkitektonike;
- Praktikat kulturore të lidhura;
- Potencialin turistik dhe statusin ligjor.
Të dhënat do të shërbejnë si bazë për analiza, vendimmarrje dhe hartimin e projekteve tip për secilin qark, si dhe për planifikimin e ndërhyrjeve të mëtejshme.
Synimet dhe faza
Kjo ndërhyrje kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë, forcimin e identitetit lokal dhe krijimin e mundësive për zhvillim të qëndrueshëm në komunitetet përkatëse. Programi është pjesë e një strategjie më të gjerë për itinerare kulturore dhe turizëm malor, që lidh zonat e veriut përmes historisë, artit dhe natyrës.
Faza e parë ka nisur vitin e kaluar dhe do të zgjasë gjatë 2026-ës, duke u fokusuar në identifikimin e kullave dhe hartimin e projekteve tip për secilin qark.