Sot, në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka filluar faza e deklaratave përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të bashkëakuzuarve Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Seanca është përqendruar në akuzat për pengim të procesit gjyqësor dhe ndërhyrje në administrimin e drejtësisë.
Pretendimet e Prokurorisë
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, dhe prokurori Joshua Hafetz kanë paraqitur argumentet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), sipas të cilave Thaçi ka tentuar të pengojë procesin gjyqësor për krime lufte. Prokuroria ka bërë të ditur se janë pranuar 28 orë incizime, të realizuara gjatë 9 vizitave në qendrën e paraburgimit përgjatë një periudhe katërmujore.
Sipas Prokurorisë:
• Thaçi ka formuar grupe të vogla me të bashkëakuzuarit për të shënjestruar dëshmitarët e rastit.
• Në pesë nga vizitat e regjistruara, Thaçi ka komunikuar drejtpërdrejt me bashkëakuzuarit.
• Modeli i komunikimit, sipas Prokurorisë, përfshinte diskutimin e temave të përditshme me zë normal, pasuar nga pëshpëritje me udhëzime konkrete për dëshmitarët.
• Qëllimi i këtyre udhëzimeve ishte ndryshimi i deklaratave të dëshmitarëve, veçanërisht për sa i përket hierarkisë së UÇK-së dhe implikimit të Thaçit.
Prokurori Hafetz theksoi se këto prova tregojnë përpjekje të vazhdueshme për të minuar integritetin e procesit. Ai pretendoi se Thaçi kërkonte që dëshmitarët të korrigjonin deklaratat e tyre për të shmangur implikimin e tij, duke përdorur ndonjëherë edhe justifikime si "gabime përkthimi" ose "lapsuse". Nga ana tjetër, mbrojtja pritet të paraqesë argumentet e saj në vijim të procesit.
Përditësime
Kryeprokurorja Kimberly West detajoi strategjinë e Hashim Thaçit, duke deklaruar se ai formoi grupe të vogla me të bashkëakuzuarit për të identifikuar dhe shënjestruar dëshmitarë specifikë. Prokuroria prezantoi prova ku Thaçi udhëzonte dëshmitarët që të siguronin se nuk do të shkaktonin 'asnjë dëm' për pozicionin e tij ligjor. Udhëzimet përfshinin përdorimin e justifikimeve paraprake, si 'gabimet në përkthim', 'lodhja' ose 'thashethemet', për t'u përdorur në rast se dëshmitarët do të detyroheshin të ndryshonin deklaratat e tyre.
Prokuroria ka prezantuar prova të reja nga vizita e 9 shtatorit 2023, gjatë së cilës Hashim Thaçi u takua me Bashkim Smakajn, Artan Behramin, Blerim Shalën dhe Ismail Sylën. Sipas Prokurorisë, Thaçi ka identifikuar dëshmitarë të mbrojtur duke përmendur emrat e tyre të plotë gjatë bisedave të përgjuara. Në këto incizime, Thaçi udhëzon që dëshmitari Bislim Zyrapi të kufizojë dëshminë e tij, ndërsa kërkon nga Artan Behrami që të flasë me zë të lartë për të maskuar bisedat konfidenciale me Smakajn.