Në Hagë po zhvillohet dita përfundimtare e procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për tentim të pengimit të drejtësisë. Seanca e sotme fokusohet te kundërpërgjigjet e palëve, pas paraqitjes së fjalëve përfundimtare nga Prokuroria e Specializuar dhe ekipet mbrojtëse gjatë javës së kaluar.
Prokuroria e Specializuar, e cila kishte në dispozicion një orë për replikën e saj, këmbënguli se ish-presidenti Hashim Thaçi ka ndërhyrë drejtpërdrejt për të manipuluar dëshminë e Bislim Zyrapit. Prokurori Joshua Hafetz iu referua vizitave të datës 9 shtator dhe 7 tetor 2023, ku sipas tij, në prani të të akuzuarit Smakaj, Thaçi ka dhënë udhëzime të hollësishme dëshmitarit lidhur me atë që duhej apo nuk duhej të deklaronte para trupit gjykues, veçanërisht për çështjen e Shtabit të Përgjithshëm.
Prokurori hodhi poshtë pretendimin se mesazhet e përcjella nga Thaçi kishin karakter ndihmës, duke argumentuar se transkriptet tregojnë përpjekje për kontroll të dëshmisë. Sipas prokurorisë, këto udhëzime kishin si synim parësor që Thaçi të ndihmonte veten në proces. Në përmbyllje të kundërpërgjigjes, prokuroria i kërkoi trupit gjykues shqyrtimin e detajuar të transkripteve dhe dokumentacionit të çështjes.
Në vijim të procesit, mbrojtjes së Hashim Thaçit i janë ndarë 30 minuta në dispozicion për fjalën e saj, ndërsa ekipeve të tjera mbrojtëse u janë ndarë nga 15 minuta për secilën.