Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “MULTIGAMES”. Gjatë këtij operacioni, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në një lokal në qytetin e Koplikut, i cili dyshohet se ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Si pasojë e veprimeve hetimore, u vu në pranga shtetasi A. K., 47 vjeç, i cili shërbente si punonjës i lokalit. Njëkohësisht, autoritetet kanë shpallur në kërkim administratorin e këtij biznesi, shtetasin E. C., 51 vjeç. Të dy personat janë banues në Koplik dhe ndaj tyre po vijojnë procedurat ligjore.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:
- 6 makineta elektronike për lojëra fati;
- një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa;
- një mjet grirëse për lëndët narkotike.
Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. Policia vijon punën për kapjen e administratorit të shpallur në kërkim. Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.