Treguesit zyrtarë pasqyrojnë një përkeqësim të mundësive për punësim për të rinjtë në Shqipëri. Sipas të dhënave të Anketës së Forcave të Punës, papunësia te grup-mosha 15-29 vjeç shënoi një rritje vjetore prej 16% në tremujorin e dytë të vitit 2026. Burimet administrative konfirmojnë se 16,537 të rinj janë regjistruar si të papunë në zyrat e punësimit, duke shënuar një rritje prej 4.3% brenda një viti.
Pas një përmirësimi të përkohshëm në tremujorin e parë të vitit 2025, numri i të papunëve ka ndjekur një trajektore rritëse, duke arritur në 36.7 mijë persona në tremujorin e dytë të vitit 2026, nga 31.6 mijë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ekspertët e lidhin këtë trend me vështirësitë në integrimin e të rinjve në tregun e punës, pasi përballen me mungesë përvoje dhe kualifikime që shpesh nuk përputhen me kërkesat e bizneseve.
Një pjesë e të rinjve kalojnë periudha më të gjata në kërkim të punës pas përfundimit të studimeve, ndërkohë që emigrimi ka ndikuar në uljen e ofertës së punës në disa sektorë. Nga ana tjetër, vihet re një trend i kundërt te grup-moshat më të mëdha. Numri i pensionistëve të angazhuar në punë është rritur me 10.4%, duke arritur në 145 mijë persona, të cilët përbëjnë 13% të numrit total të të punësuarve.
Bizneset theksojnë se mungesa e fuqisë punëtore mbetet pengesa kryesore për zhvillimin e veprimtarisë së tyre, pavarësisht hapjes së vendeve të reja të punës.