Situata në segmentin rrugor te Arrat e Gurrës, në aksin Librazhd-Prrenjas, është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit për shkak të rrëshqitjes së tokës dhe fundosjes së urës. Kjo ka rritur rrezikun për çdo lëvizje në zonë.
Rreth orës 22:00, autoritetet kanë ndaluar fillimisht lëvizjen e automjeteve dhe më pas kanë zgjeruar ndalimin në qarkullimin e plotë të këmbësorëve si dhe të mjeteve të emergjencës, përfshirë zjarrfikëset, policinë dhe ambulancat. Vendimi është marrë për shkak të rrezikut të lartë dhe pamundësisë për të identifikuar zonat e dëmtuara në errësirë.
Devijimi i trafikut dhe shërbimeve
Mjetet e shërbimeve emergjente devijohen përmes rrugës alternative që kalon nga fshatrat Spathar dhe Dardhë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo përpjekje për të kaluar në zonën e rrezikut.
Punimet në vazhdim
Ndërkohë, po punohet gjatë natës për hapjen e një rruge të përkohshme (bypass) në segmentin e dëmtuar të rrugës kombëtare që lidh Librazhdin me Prrenjasin, me synim rikthimin e qarkullimit. Zona mbetet plotësisht e izoluar dhe nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa rreziku i shembjes së plotë të strukturës konsiderohet i lartë.
Situata është dinamike dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm nga autoritetet.