Sot shënohet 25-vjetori i masakrës së kryer në fshatin Luboten të Shkupit, ngjarje kjo që ndodhi në mëngjesin e 12 gushtit 2001. Gjatë ndërhyrjes së njësiteve policore dhe ushtarake, u vranë dhjetë civilë shqiptarë, ndër të cilët edhe 6-vjeçari Erxhan Aliu. Viktimat e tjera të këtij operacioni ishin: Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili.
Përveç humbjes së jetëve njerëzore, aksioni u shoqërua me djegien e 14 shtëpive dhe arrestimin e më shumë se 100 banorëve të tjerë, nën pretendimin për praninë e pjesëtarëve të UÇK-së në atë zonë. Rasti i Lubotenit u shqyrtua nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.
Johan Tarçullovski, ish-pjesëtar i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, u dënua me 12 vjet burgim për vrasje, shkelje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë. Pas mbajtjes së 8 vjetëve burgim, ai u lirua. I akuzuari tjetër, ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski, u lirua nga të gjitha akuzat. Aktualisht, si Tarçullovski, ashtu edhe Boshkovski, vlerësohen nga institucionet shtetërore maqedonase si heronj të konfliktit të vitit 2001.