Më 25 shkurt 1991, pesë ditë pas rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha në Tiranë, Komiteti i Partisë i rrethit të Vlorës organizoi një marshim demonstrativ me punonjësit e Bazës së Pashalimanit drejt Sheshit të Flamurit. Qëllimi ishte mbajtja e një mitingu në përkrahje të emrit të diktatorit. Punonjësve u ishte premtuar pagesa e ditës së punës.
Rreth orës 10:00 të paradites, autobusët e mbushur me punonjës ndaluan në Skelë. Nën udhëheqjen e sekretarëve të partisë, ata u rreshtuan duke mbajtur bukë të mbështjellë me gazetë, portrete të Enver Hoxhës, parulla si dhe një beze të kuqe me mbishkrimin “Enver-Shqipëri” dhe “Vullnetarët e Enverit”. Turma, e drejtuar nga drejtori i Pashalimanit Luto Hasko dhe titullarë të tjerë të komitetit, filloi të bërtiste “Shqipëri-Enver, jemi gati kurdoherë”.
Disa punonjës u larguan tinëzisht nga grupi, duke mos dashur të vazhdojnë drejt sheshit. Sapo turma kaloi “Kulaçin” dhe përparoi rreth 50 metra, u shfaqën rreth 20 djem të moshës 25-40 vjeç, të gjithë nga Skela ose zona përreth. Ata ishin kryesisht njerëz të thjeshtë pa angazhim politik të dukshëm.
Midtis tyre identifikohen:
- Xhoxhi Prifti (berber);
- Hamdi Memeti (këpucar);
- Vilson Haskaj (pilot në port);
- Namik Mustafaj (teknolog në Sodë);
- Koto Zilja (trajner pranë Klubit Sportiv Flamurtari);
- Nasip Imeri (saldator në Fabrikën e Çimentos);
- Kastriot Axhami (peshkatar);
- Gjergji Kallçia;
- Sulo Nebiu;
- Lefter Islami etj., të gjithë lindur e rritur në Skelë.
Djemtë e Skelës u bënë thirrje turmës: “Ndaloni more shkërdhata, ku po shkoni” dhe “Doni të ngjallni diktatorin, por nuk kemi për t’iu lënë. Kthehuni se do ta pësoni keq”. Pa komandë apo udhëheqës, ata filluan të ndiqnin turmën, pjesa e madhe e së cilës kishte vazhduar marshimin, ndonëse disa ishin larguar.