Ka përfunduar seanca e rigjykimit në rastin e padisë së Faruk Kukajt kundër Komunës së Prishtinës për diskriminim. Çështja është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme, e cila konstatoi shkelje procedurale nga shkallët e mëparshme të gjykimit.
Gjatë fjalës përfundimtare, avokati i paditësit, Sylejman Klinaku, kërkoi nga gjykata që ta miratojë kërkesëpadinë në tërësi. Dëmshpërblimi i kërkuar prej 321,150 euro përbëhet nga:
• 21,150 euro për dëme materiale, që përfshijnë shpenzimet e asistentit për periudhën 2015-2022 dhe koston e karrocës.
• 300,000 euro për dëme jomateriale, për shkak të dhimbjeve shpirtërore dhe pasojave të diskriminimit të pretenduar.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja ligjore e Komunës së Prishtinës, Kaltrina Velegu, kërkoi që padia të refuzohet si e pabazuar. Ajo deklaroi se pala paditëse nuk ka arritur të provojë ekzistencën e diskriminimit apo trajtimit të pabarabartë nga ana e institucionit komunal, duke kërkuar që gjykata të qëndrojë pranë provave dhe pretendimeve të mëparshme.
Gjyqtari i çështjes, Blerand Rrmoku, pas administrimit të provave, bëri të ditur se palët do të njoftohen për aktgjykimin brenda afateve ligjore.