Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka zhvilluar sot një takim me shefin e sapoemëruar të misionit të EULEX-it në Kosovë, Antero Lopes. Takimi është zhvilluar në ambientet e Odës së Kryeqytetit, ku Rama i ka uruar mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e tij të re.
Fokusi kryesor i bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit institucional dhe adresimi i sfidave të sigurisë në qytet. Sipas njoftimeve zyrtare, palët u dakorduan për rëndësinë e sundimit të ligjit dhe ndërtimin e institucioneve të fuqishme, të cilat u vlerësuan si themel për zhvillimin e kryeqytetit.
"Siguria, sundimi i ligjit dhe institucionet e fuqishme janë themel i një kryeqyteti që zhvillohet dhe ecën përpara", theksoi Rama.
Kryetari i Kryeqytetit rikonfirmoi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të jetë partner i hapur dhe konstruktiv në të gjitha nismat që synojnë krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët.