Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ka identifikuar katër autorët e dyshuar të plagosjes së shtetasit Brian Syzo. Ngjarja, e klasifikuar nga autoritetet si tentativë vrasjeje, dyshohet se ka ndodhur për shkak të konflikteve të mëparshme.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, Brian Syzo ndodhej me automjetin e tij në lagjen nr. 3, kur u afrua mjeti ku ndodheshin katër personat. Pasi u thye xhami i automjetit të një shoku të viktimës, Nikolla Agolli qëlloi disa herë ndaj Brian Syzos, duke e plagosur në të dyja këmbët. I dëmtuari po trajtohet në Spitalin e Traumës.
Autorët janë larguar nga vendngjarja, duke braktisur automjetin e tyre në Qafë Thanë. Nikolla Agolli u arrestua nga policia pak minuta pas ngjarjes, ndërsa ndodhej në një furgon në zonën e Prrenjasit. Më pas, policia vuri në pranga edhe David Priftin. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar tre automjete dhe gjashtë celularë.
Ndaj personave të përfshirë rëndojnë akuzat për "Vrasje me paramendim", kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, si dhe "Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe të municionit". Të katër të dyshuarit kanë precedentë të mëparshëm penalë për krime kundër personit. Meardi Berberi, një ndër personat e shpallur në kërkim, njihet për aktivitetin e tij të mëparshëm kriminal, përfshirë ngjarjet e lidhura me hotel "Voloreka" në vitin 2020.