Shërbimet e Komisariatit Nr. 4 të Policisë Tiranë finalizuan operacionin e koduar "Rotondo", rezultat i një hetimi dymujor me metoda proaktive dhe në koordinim me Prokurorinë e Tiranës.
Gjatë kontrollit të automjetit tip Volkswagen në Rrethin e Freskut, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, u arrestuan në flagrancë Donati Jaku, 31 vjeç, banues në Shkodër, dhe Florian Gjeta, 22 vjeç, banues në fshatin Domje.
Nga kontrolli në automjet u gjetën dhe u sekuestruan 6 pistoleta SigSauer, të fshehura në bagazh brenda një çante dhe çorapeve, të dyshuara si të trafikuara nga Mali i Zi me qëllim shitjen në zonën e quajtur Fresku tek një grup kriminal me bazë atje.
Bashkë me armët u sekuestruan automjeti dhe 4 celularë. Hetuesit dyshojnë se Florian Gjeta kryente prej vitesh aktivitetin e trafikut të armëve, përfshirë periudhën kur jetonte në Angli, dhe kishte postuar foto me armë në rrjetet sociale.
Një bashkëpunëtor tjetër u identifikua dhe u shpall në kërkim, ndërsa hetimi vazhdon për verifikimin e personave të tjerë të përfshirë.