Policia e Tiranës finalizoi dy operacione në 24 orë për zbardhjen e vjedhjeve të raportuara në territorin e komisariateve Nr. 1 dhe Nr. 3 gjatë muajit janar 2026.
Operacionet u nisën menjëherë pas kallëzimeve të qytetarëve dhe administratorëve të subjekteve të prekura nga vjedhjet e pronës dhe pasurisë.
Detajet e operacioneve
• Në kuadër të operacionit “Partners”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasit V. C., 36 vjeç, dhe O. R., 44 vjeç. Ata dyshohen se kanë vjedhur një motomjet në Rrugën e Kavajës, si dhe sende me vlerë në banesën e shtetasit K. Z.. Motomjeti u gjet dhe u sekuestrua si provë materiale.
• Në kuadër të operacionit “Artikujt”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin L. B., 25 vjeç, për vjedhje në dy markete, më datat 13.01.2026 dhe 28.01.2026.
Policia vijon punën për zbardhjen e vjedhjeve të tjera të mundshme të kryera nga këta shtetas. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.