Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka shprehur shqetësimin lidhur me vendosjen e pagesës ditore prej 3 euro për familjarët ose përcjellësit e pacientëve në klinikat e Qendrës Klinike Universitare Kosovare (QKUK) dhe spitalet e përgjithshme. Ky reagim është bërë publik përmes një postimi në Facebook.
PRAK thekson se përcjellësi nuk është vizitor, por shpesh pjesë e domosdoshme e kujdesit ndaj pacientit. Familjarët ndihmojnë në sigurimin e barnave dhe analizave jashtë institucionit publik, ushqyerjes, higjienës, mobilizimit dhe mbështetjes emocionale, veçanërisht për fëmijët, pacientët e moshuar, kronikë ose me kufizime funksionale.
Sipas shoqatës, vendosja e kësaj pagese krijon barrë shtesë financiare për familjet, prek në mënyrë disproporcionale kategoritë e ndjeshme dhe rrezikon të penalizojë një mekanizëm mbështetës që sistemi e konsideron të nevojshëm.
PRAK vlerëson se sfidat infrastrukturore dhe organizative të spitaleve nuk duhet të zgjidhen përmes tarifimit të familjarëve, por përmes politikave të qëndrueshme. Këto politika duhen të forcojnë kapacitetet e personelit, përmirësojnë shërbimet mbështetëse dhe sigurojnë standarde dinjitoze të qëndrimit për pacientët.
Shoqata bën thirrje drejtpërdrejt institucioneve për të hequr këtë tarifë dhe për të shtuar kapacitetet brenda spitalore, me qëllim përmbushjen e nevojave të pacientëve.
Përditësime
Udhëzimi administrativ për bashkëpagesat për shërbimet shëndetësore në fuqi në 2024 përcakton pagesën prej 3 euro për familjarët në QKUK. Zbatimi nisi rreth dy javë më parë.