Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasen Klotilda Kola, 60-vjeçe, në kuadër të procedimit penal nr. 768/2025. Hetimet u nisën nga kallëzimet e disa shtetasve dhe transmetimet në mediat investigative.
E pandehura akuzohet për veprën penale të “mashtrimit” e kryer më shumë se një herë, parashikuar në nenin 143 p. 2, dhe “fshehjes së të ardhurave”, në nenin 180 p. 1 të Kodit Penal. Ajo u prezantua si avokate për një periudhë të gjatë, megjithëse prej më shumë se 7 vitesh nuk është anëtare e Dhomës së Avokatisë në Lushnjë, nuk ka licensë për ushtrimin e profesionit dhe nuk disponon zyrë avokatike.
Sipas hetimeve, Klotilda Kola premtoi zgjidhje të çështjeve ligjore, administrative e gjyqësore, duke përfshirë:
- legalizime pronash;
- procedura pensioni;
- çështje pronësie;
- përfaqësim në procese gjyqësore civile.
Në grackën e saj ranë 8 shtetas, kryesisht banorë të Lushnjës dhe Fierit. Pagesat u kryen në forma të ndryshme, si dorëzime në dorë, transferta bankare apo pagesa të deklaruara si kapar ose shpenzime procedurale. Shërbimet e premtuara nuk u realizuan. Në disa raste, ajo siguroi viktimat se procedurat ishin në vijim dhe do të përfundoheshin brenda afateve, por më pas ndërpreu komunikimin pa dhënë rezultat. Në raste të tjera, dha informacione të pavërteta për procese gjyqësore apo aplikime administrative, të cilat verifikimet pranë institucioneve përkatëse konfirmuan se nuk ishin kryer.
Hetimi zbuloi se e pandehura kryente veprime që krijojnë përshtypjen e përfaqësimit ligjor pa status aktiv avokatik. Po ashtu, përfitonte të ardhura nga ky aktivitet pa i deklaruar pranë organeve tatimore, duke ushtruar veprimtari ekonomike për disa vite me status pasiv në regjistrat tatimorë. Denoncimi i parë erdhi në shtator 2025 nga një qytetare për regjistrimin e pronës.