Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit për këngëtarin Besart Kelmendi, të njohur si Gjesti.
Ai u ndalua të mërkurën nga policia dhe u mbajt për 48 orë. Dyshohet për tri vepra penale: mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve sipas nenit 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kanosjen sipas nenit 181 të KPRK-së, si dhe asgjësimin ose dëmtimin e pasurisë sipas nenit 321 të KPRK-së.
Kërkesën e prokurorisë e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi. Policia kishte njoftuar më herët për arrestimin dhe dërgimin e tij në mbajtje.
Përditësime
Seanca dëgjimore për caktimin e paraburgimit të këngëtarit Gjesti mbahet nesër duke filluar nga ora 09:30.
Gjesti dyshohet se ka kërcënuar E.Sh. duke thënë "Ku o se kam me vra" pranë studios muzikore Onima në Prishtinë, për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth një borxhi të mëparshëm. Ai ka dëmtuar kompjuterë, tavolina dhe xhama në studio. Policia e gjeti Gjestin me armë në dorë, e cila u sekuestrua.