Pas indeksimit të pagave me 2.5% për punonjësit e administratës publike, policisë dhe mjekëve, propozohet e njëjta rritje për 36,3 mijë punonjës të sistemit arsimor parauniversitar. Përfitues janë mësuesit, edukatorët e kopshteve, psikologët, oficerët e sigurisë, punonjësit e shërbimit psiko-social dhe punonjësit e tjerë jomësimorë.
Rritja zbatohet mbi pagën bruto për çdo pozicion pune dhe llogaritet nga 1 janari 2026. Përveç indeksimit, parashikohet shtesa sipas vjetërsisë në punë, e cila aplikohet mbi pagën për pozicion dhe rritet automatikisht deri në 5.17%.
Masa parashikohet në projektvendimin "Për disa ndryshime në vendimin nr. 425, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave". Ky vendim, i propozuar nga Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, bazohet në indeksin e ndryshimit të çmimeve të konsumit prej 2.5%.
Indeksimi reflektohet në tre lidhjet e pagave të vendimit 425/2024 në fuqi:
- për punonjësit mësimorë;
- për punonjësit e shërbimit psiko-social;
- për punonjësit e tjerë jomësimorë të institucioneve arsimore dhe plotësuese.
Sipas relacionit shoqërues, indeksohet elementi "paga për pozicion", ndërsa shtesa për vjetërsi ndjek automatikisht këtë rritje. Masa zbatohet njëjtë si për funksionarët dhe nëpunësit civilë në administratën publike.