Irani po kalon natën e 12-të të protestave antiqeveritare në qytete të mëdha si Teherani, të nxitura nga kriza ekonomike, rritja e çmimeve dhe inflacioni i lartë që kanë ulur standardet e jetesës. Demonstratat, të cilat filluan më shumë se dy javë më parë, janë përhapur në mbi 100 qytete në të gjitha provincat e vendit.
Protestuesit kanë sfiduar forcat e sigurisë, duke kërkuar hapur fundin e sundimit klerikal dhe largimin e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei. Ky i fundit i ka cilësuar demonstruesit si "vandalë" që synojnë të kënaqin presidentin amerikan Donald Trump. Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohammad Movahedi Azad, ka deklaruar se çdo pjesëmarrës në tubime do të konsiderohet "armik i Zotit", një akuzë e dënueshme me vdekje sipas ligjit iranian.
Gjatë tri ditëve të fundit, raportohet se mbi 500 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë të plagosur nga përleshjet me forcat e sigurisë. Qindra protestues të tjerë besohet se janë arrestuar që nga fillimi i demonstratave. Qeveria ka intensifikuar shtypjen, duke vendosur një bllokadë pothuajse totale të internetit në të gjithë vendin.
Grupi i monitorimit të internetit Netblocks ka konfirmuar një ndërprerje mbarëkombëtare të qasjes në internet, duke përfshirë edhe intranetin vendor, më të rëndë se ajo e vitit 2023 gjatë kryengritjes "Gra, Jetë, Liri". Eksperti Alireza Manafi ka thënë se qasja në internet tani është pothuajse plotësisht e ndërprerë, duke kufizuar komunikimin me botën e jashtme. Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do ta godasin Iranin "shumë fort" nëse qeveria vret protestuesit.
Në reagim ndaj situatës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë u bën thirrje qytetarëve shqiptarë në Iran të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mbajnë kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike. Për emergjenca ose ndihmë, ata mund të kontaktojnë ambasadat shqiptare në Katar, Kuvajt, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqi.