Mijëra studentë shqiptarë janë mbledhur në Shkup të Maqedonisë së Veriut për një protestë të madhe në mbrojtje të gjuhës shqipe.
Protestuesit kanë nisur marshimin nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë. Ata kanë thirrur slogane si "Gjuha shqipe identitet", "Gjuha shqipe amanet" dhe "Gjuha shqipe nuk negociohet".
Në protestë kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe të ministrit të Drejtësisë Igor Filkov. Studentë shqiptarë nga Kosova janë bashkuar me protestën.
Studentët që vinin nga Shqipëria janë ndaluar në kufi nga policia maqedonase dhe nuk janë lejuar të hyjnë në vend. Në shesh kanë mbizotëruar ngjyrat kuqezi dhe janë dëgjuar thirrje "UÇK".
Përditësime
Policia arrestoi tre studentë gjatë protestës së madhe të studentëve shqiptarë në Shkup për gjuhën shqipe. Organizatori Mevlan Ademi deklaroi se studentët nga Tirana u dërguan me dhunë drejt Kumanovës dhe se protesta ishte paqësore. Zëvendëskryeministri Bekim Sali njoftoi se provimi i jurisprudencës do të jepet në shqip, pavarësisht se Ministri Filkov e quajti çështjen të mbyllur. Rreth 400 studentë të drejtësisë kërkojnë provimin në shqip. Protesta zgjati dy orë dhe u mbyll.
Fëmija me jelek tradicional dhe pankartën “Mos ma përktheni të ardhmen!!” u bë simbol i protestës, ndërsa studentët kënduan Himnin Kombëtar. Studentët nga Tirana u bashkuan me protestuesit pranë Urës së Gurit, duke shënuar protestën e dytë të shqiptarëve në RMV.
Policia ka liruar të arrestuarit pas identifikimit dhe deklaratave. Të arrestuarit mund të marrin masa administrative. Përplasja nisi nga provokimi i një të riu maqedonas. Mevlan Ademi kërkoi zbatim të plotë të Ligjit ekzistues për Gjuhët pa komisione apo ligje të reja.
Ministri Igor Filkov e quajti protestën "të dhunshme" dhe theksoi se gjuha maqedonase është obligim kushtetues dhe garanci për funksionimin e shtetit. Ministria nuk do të lejojë devalvim të sistemit juridik as minimizim të rolit të gjuhës maqedonase, tha Filkov.