Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë bërë publike dosjen përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në këtë dokument, Prokuroria argumenton se të katërt të akuzuarit kanë formuluar dhe zbatuar një qëllim të përbashkët kriminal, ku veprimet dhe fjalët e tyre vërtetojnë pjesëmarrjen në kryerjen e veprave penale.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit dështuan në marrjen e masave parandaluese apo disiplinore ndaj anëtarëve të përfshirë në të ashtuquajturën ndërmarrje e përbashkët kriminale. Në vend të sanksioneve, dosja pohon se këta anëtarë u promovuan dhe atyre iu besuan përgjegjësi shtesë.
Lidhur me Hashim Thaçin, i njohur me nofkën “Gjarpri”, Prokuroria thekson rolin e tij si themelues i UÇK-së dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, krahas Veselit dhe Selimit. Sipas dosjes, Thaçi mbante përgjegjësi në Drejtorinë Politike dhe të Informimit, duke ushtruar ndikim në operacionet e UÇK-së dhe trajtimin e personave që perceptoheshin si kundërshtarë. Prokuroria pretendon se Thaçi i shënjestronte këta persona si kërcënim dhe organizonte vizita nëpër komanda për të siguruar zbatimin e politikave të ndëshkimit në terren. Më tej, dosja shton se gjatë shërbimit si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, Thaçi integroi funksionet politike, policore dhe të inteligjencës nën autoritetin e tij të drejtpërdrejtë.