Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi se së shpejti do të shfuqizohet Ligji për investimet strategjike. Në një konferencë për media me gazetarë nga vendet e Bashkimit Evropian, kreu i qeverisë sqaroi se ky vendim vjen pas kërkesës së BE-së, duke shtuar se ligji e ka përmbushur misionin e tij.
Rama mohoi kategorikisht se kjo lëvizje lidhet me protestat e organizuara në Tiranë dhe qytete të tjera, ku qytetarët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, pranë Vlorës. Protestuesit, të cilët kanë përdorur flamingon si simbol të tyre, kërkojnë ndalimin e punimeve për shkak të shqetësimeve për mjedisin dhe pronësinë e tokës. Sipas Ramës, vendimi nuk vjen si pasojë e presioneve të rrugës, por si reflektim ndaj vlerësimit të Komisionit Evropian.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, konfirmoi më herët për Radio Evropa e Lirë se zgjatja e afatit të funksionimit të këtij ligji vazhdon të ngrejë shqetësime lidhur me ndikimet mjedisore.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama njoftoi hartimin e një ligji të ri për investimet në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar shfuqizimin e Ligjit për investimet strategjike. Rama vlerësoi se, ndonëse ky ligj ka qenë efektiv, ai nuk është më i nevojshëm pasi tregu shqiptar nuk kërkon më lehtësirat e mëparshme. Ligji aktual, i shtyrë 6 herë që nga viti 2015, do të mbetet në fuqi deri në fund të vitit 2024. Ky vendim pason debatet mbi projektet e investimeve në Sazan, në të cilat janë përfshirë Jared dhe Ivanka Trump.