Polumbarët e RENEA-s dhe Policia vijojnë kërkimet për trupin e 65-vjeçarit Ylli Dine në afërsi të vendit “Fusha e fshatit Peshtan” në Tepelenë. Kërkimet zhvillohen në shtratin e lumit Vjosë nga të dyja anët, në kushte të vështira terreni dhe me rrjedhë të fortë uji.
Vëllai i tij ka dhënë detaje për jetën e Ylli Dines. Ai jetonte vetëm, ishte i ndarë, shtëpinë e ka në Tiranë, por pas ndarjes jetonte me prindërit në Peshtan. Shkonte çdo ditë me bagëti dhe atë ditë është parë nga banorë të zonës.
Sipas familjarëve, pas ndarjes Ylli Dine abuzonte me alkoolin. Dyshohet se i ka rrëshkitur këmba dhe ka rënë në lumë, pasi vendi ku mendohet se ka ndodhur është i rrezikshëm. Gjatë kërkimeve janë gjetur në bregun e lumit një kërrabë dhe një velenxë, që dyshohet se i përkasin bariut.
Familjarët bëjnë apel për ndihmë. Ata kërkojnë që çdo person me informacion, sado të vogël, të kontaktojë autoritetet. U bënë 40 orë nga zhdukja e tij.