Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) ka publikuar raportin për auditimin e pasqyrave financiare dhe pajtueshmërisë së Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH) për vitin 2024. Auditorët kanë shprehur mendim me rezervë, duke theksuar se përkundër masave të ndërmarra për zbatimin e rekomandimeve të mëparshme, institucioni vazhdon të përballet me sfida të rëndësishme sistemike.
Probleme me likuiditetin dhe financat
Raporti vë në dukje se pagesat jo në kohë të kontributeve nga institucionet shtetërore kanë ndikuar drejtpërdrejt në likuiditetin e Fondit, duke vështirësuar shlyerjen e detyrimeve ndaj institucioneve shëndetësore. Të dhënat zyrtare tregojnë:
• Kontributet e papaguara nga Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor, deri në shkurt të vitit 2026, arrijnë në 8.415.865 mijë denarë (afërsisht 137 milionë euro).
• Detyrimet e papaguara nga Ministria e Shëndetësisë për personat e pasiguruar, në fund të vitit 2024, janë 2.136.300 mijë denarë (afërsisht 35 milionë euro).
Sfida në sistemin informativ dhe kontrolle
Auditimi ka identifikuar mangësi të theksuara në funksionimin e sistemit informativ të Fondit, duke përfshirë mungesën e dokumenteve strategjike dhe kapacitete të pamjaftueshme kadrovike. Vonesat në vendosjen e sistemit të recetës elektronike dhe kontrollet e pamjaftueshme në procesin e lëshimit dhe faturimit të recetave janë evidentuar si problematika kryesore.
Fondi nuk ofron konfirmim të plotë për shërbimet e kryera për shkak të lidhjes jo të plotë të sistemit me platformën "Termi Im" dhe mbështetjes jo të plotë të procesit të monitorimit nga ana e TI-së. Gjithashtu, u konstatua se numri i mjekëve-kontrollorë është i pamjaftueshëm, ndërsa planifikimi i kontrolleve nuk bazohet në analiza risku.
Kontrollet në institucionet shëndetësore
Gjatë vitit 2024 janë kryer 44 kontrolle në institucionet e mbrojtjes shëndetësore spitalore, ku në pothuajse gjysmën e tyre janë konstatuar parregullsi. Revizioni nënvizon se pjesa më e madhe e kontrolleve fokusohen në institucionet publike, ndërsa në spitalet private, ku pagesat varen nga vëllimi i shërbimeve, kontrollet janë të pamjaftueshme. Për më tepër, në 17 nga 20 procedurat e shqyrtuara të furnizimeve publike, është paraqitur vetëm një ofertë.