Pishina e Gërmisë rifilloi sot shërbimin për qytetarët pas një periudhe të shkurtër mbylljeje. Vendimi për rihapje erdhi pas konfirmimit zyrtar nga IKSHPK, e cila analizoi mostrat e ujit për të garantuar sigurinë shëndetësore të vizitorëve.
Kompania publike komunale e Kryeqytetit, NPL "Sport Marketing", kishte njoftuar mbylljen e përkohshme të pishinës më 7 korrik, deri në përfundimin e analizave laboratorike. Të premten, ndërmarrja bëri të ditur se rezultatet e dërguara nga instituti shëndetësor konfirmuan se uji është brenda standardeve të kërkuara, duke e përshkruar cilësinë e tij si "të pastër si loti".
Në njoftimin e saj, NPL "Sport Marketing" falënderoi IKSHPK-në për angazhimin dhe shpejtësinë në kryerjen e analizave, duke theksuar se rezultatet u nxorën në "kohë rekorde". Me këtë konfirmim, pishina është tashmë e gatshme për pritjen e vizitorëve.