Rusia u ka bërë thirrje qytetarëve të saj të mos udhëtojnë në Kosovë, duke theksuar rreziqet për sigurinë e tyre. Deklarata erdhi nga zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, gjatë një konference për media të mërkurën.
Më 10 shkurt të këtij viti, Policia e Kosovës arrestoi në Arllat të Drenasit një shtetas rus dhe dy shtetas bjellorusë, të dyshuar për kalim të paautorizuar të kufirit. Zakharova e konsideroi veprën të parëndësishme dhe njoftoi se Zyra ndërlidhëse ruse në Prishtinë ka siguruar qasje ndaj shtetasit rus të arrestuar dhe po i ofron mbështetje të plotë.
Me kërkesë të autoriteteve bjelloruse, kjo zyrë ka kërkuar leje për takim personal me të burgosurit bjellorusë. Rusia, që nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka kontakte zyrtare me të, has pengesa në mbrojtjen efektive të interesave dhe sigurisë së qytetarëve rusë atje.
Zakharova përmendi se në 2022 Qeveria e Kosovës shtrëngoi regjimin e vizave për rusët, duke anuluar të drejtën e hyrjes për mbajtësit e vizave të shumëfishta Schengen dhe lejeve të qëndrimit në zonën Schengen. Për këto arsye, ajo rekomandoi me këmbëngulje shmangien e vizitave në Kosovë dhe zgjedhjen e rrugëve alternative për udhëtime në Rajonin e Ballkanit.