Në Kantonin e Sarajevës, 5 maji shënohet si ditë zie në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të qytetit nga 1992 deri në 1995, në kuadër të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Sipas të dhënave zyrtare, 1.601 fëmijë humbën jetën gjatë këtyre katër viteve. Vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore konfirmojnë se së paku 53 prej tyre u vranë nga snajperët, ndërsa më shumë se 14 mijë fëmijë u plagosën. Për krimet ndaj fëmijëve nuk është mbajtur ende askush përgjegjës.
Qeveria e Kantonit të Sarajevës, në vitin 2019, vendosi që 5 maji të jetë Dita e Kujtimit për Fëmijët e Vrarë të Sarajevës. Muzeu Historik i Bosnje dhe Hercegovinës, që nga shkurti i vitit 2020, mban sende personale të fëmijëve të vrarë, të ekspozuara në instalacionin memorial “Dhoma e Bardhë”.
Rrethimi i Sarajevës
Rrethimi zgjati 1.425 ditë. Sipas Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, sulmet ndaj civilëve nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska ndodhnin në çdo kohë.
Gjykata dënoi me burgim të përjetshëm Stanisllav Galliqin, komandant të Korpusit Sarajevë-Romanija. Dragomir Millosheviqi, gjithashtu komandant i të njëjtit korpus, u dënua me 29 vjet burg. Pjesë të dënimeve të përjetshme të Radovan Karaxhiqit, ish-president i Republikës Sërpska, dhe Ratko Mlladiqit, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, lidhen me terrorizimin e civilëve të Sarajevës.
Sllobodan Millosheviqi, ish-president i Serbisë, u akuzua para Tribunalit të Hagës, por vdiq në mars 2006, duke ndërprerë gjykimin. Në nivel vendor, janë ndjekur penalisht 12 persona për krimet në zonat e rrethuara. Bilana Pllavshiq, ish-president e Republikës Sërpska, pranoi fajësinë për pjesëmarrje në krime.