Njësitë e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë identifikuar dhe ndaluar për kontroll në vijën e dytë një automjet me targa të Serbisë në pikën kufitare në Bërnjak. Automjeti drejtohej nga një shtetas serb, ndërsa gjatë kontrollit të detajuar, autoritetet gjetën mjete monetare të padeklaruara.
Në çantën e pasagjerit, autoritetet zbuluan një shumë prej 25.515 eurosh dhe dinarë në vlerë prej 4.813 eurosh. Shuma e përgjithshme e mjeteve të konfiskuara arrin në 30.328 euro.
Policia njoftoi se pas zbulimit, janë ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale të nevojshme për trajtimin e mëtejshëm të rastit nga autoritetet doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.
Përditësime
Policia e Kosovës ka dhënë detaje mbi sekuestrimin e mjeteve në pikën kufitare të Bërnjakut. Gjatë kontrollit të një automjeti që po dilte nga territori i Kosovës, pasagjerët mohuan posedimin e parave, mirëpo autoritetet gjetën 565 mijë e 60 dinarë serbë. Pas konfiskimit të 25 për qind të shumës, pjesa tjetër është ndaluar përkohësisht për verifikim, ndërsa rasti ka kaluar në procedurë hetimore.