Autoritetet italiane kanë sekuestruar një vilë me vlerë rreth 500 mijë euro në Faenzë, që i përket një shtetasi shqiptar nën hetim për trafik droge. Masa erdhi si rezultat i hetimeve ekonomiko-pasurore, të koordinuara nga Prokuroria e Republikës pranë Ravennës dhe të zbatuara nga efektivët e Guardia di Finanza.
Hetimet disavjeçare nxorën në pah mospërputhje midis të ardhurave të deklaruara nga i hetuari dhe pasurisë së tij. Analiza e llogarive bankare të familjes tregoi një menaxhim anormal të fondeve financiare. Shpenzimet për nevojat e përditshme, si blerja e produkteve ushqimore dhe e veshjeve, ishin minimale.
Po ashtu, u vu re mungesë pothuajse totale e tërheqjeve të parave në para të gatshme dhe e pagesave për karburant. Kryqëzimi i të dhënave lidhi këto fonde me aktivitete të paligjshme, veçanërisht trafikun e drogës, për të cilin subjekti është nën hetim.
Rindërtimi i profilit ekonomik të familjes konfirmoi se investimet pasurore, përfshirë blerjen e vilës, ishin të papajtueshme me të ardhurat nga puna e deklaruar. Sekuestrimi, i urdhëruar nga autoriteti gjyqësor vendor, synon konfiskimin e pasurive me origjinë të paligjshme.