Ish-zyrtari i NATO-së, Jamie Shea, foli për taktikat hibride që Serbia po përdor kundër Kosovës për ta dobësuar atë. Në një intervistë për RTK-në, ai theksoi se situata në rajon është shumë më e stabilizuar se 27 vjet më parë.
Shea vlerësoi rolin e forcave të KFOR-it, të cilat kanë qëndruar në Kosovë për të ruajtur paqen gjatë gjithë kësaj periudhe. Ai përmendi se BE-ja, duke marrë përsipër nga NATO përgjegjësinë në Bosnje në vitin 2004, ka kryer një detyrë të ngjashme. Veprimet e NATO-së dhe BE-së ndihmuan në parandalimin e një lufte civile në Maqedoninë e Veriut gjatë periudhës 2002-2004.
Sipas tij, tensionet vazhdojnë për shkak të mosmarrëveshjeve të pazgjidhura brenda dhe ndërmjet vendeve të rajonit, por retorika e ashpër nuk është shoqëruar me agresion ushtarak të hapur si në vitet 1990. Kërcënimet vijnë kryesisht nga aktivitetet hibride ose "zona gri", si propaganda dhe fushata dezinformimi, shantazh ekonomik përmes bojkotit tregtar dhe kufizimeve, si dhe struktura paralele ose të fshehta sigurie për të krijuar kaos dhe përçarje politike.
Serbia i ka përdorur këto taktika kundër Kosovës, me incidentin e Banjskës në shtator 2023 si shembull të mirë. Prandaj, detyra kryesore e NATO-së sot është ta ndihmojë Kosovën më inteligjencë më të mirë kundër këtyre formave të luftës hibride dhe të zhvillojë qëndrueshmërinë e saj të brendshme.