Shoqata Shqiptare e Bankave ka njoftuar publikun për raste të fundit të telefonatave mashtruese, të realizuara përmes teknologjisë VOIP (telefonata përmes internetit). Këto telefonata vijnë nga adresa me prapashtesa si @gmail, @instagram apo platforma të tjera, ku në ekran shfaqet emri ose logoja e një banke, duke krijuar përshtypjen se vijnë nga institucioni bankar.
Identiteti i vërtetë i telefonuesve nuk mund të verifikohet përmes këtyre adresave. Gjatë bisedës, personat flasin në gjuhë të ndryshme dhe kërkojnë të dhëna të kartës bankare, PIN-in, kodet e sigurisë apo informacione të tjera personale, me pretendimin se ndalojnë veprime të dyshuara në llogarinë e klientit.
Shoqata Shqiptare e Bankave rikujton se bankat në Shqipëri nuk kërkojnë kurrë përmes telefonit të dhëna të tilla konfidenciale. Qytetarët këshillohen të veprojnë si vijon:
• Të mos ndajnë asnjë informacion personal.
• Të ndërpresin menjëherë telefonatën.
• Të verifikojnë çdo komunikim duke kontaktuar bankën vetëm përmes numrave zyrtarë të publikuar prej saj.
• Të raportojnë çdo rast të dyshimtë pranë bankës përkatëse.
Shoqata dhe bankat anëtare theksojnë angazhimin për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbrojtjen e klientëve nga mashtrimet financiare. Njoftimi u lëshua më 5 mars 2026.