Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit u zhvillua sot në GJKKO, ku u vendos shtyrja e procesit për në datën 9 korrik, ora 10:00. Gjatë fjalës së tij, Ilir Meta kërkoi kryerjen e një ekspertize të pavarur financiare, duke pretenduar se metodologjia e deritanishme e përdorur për llogaritjen e pasurive të tij përmban gabime të qëllimshme.
Ilir Meta theksoi nevojën për të aplikuar të njëjtat standarde që janë përdorur për prokurorët dhe gjyqtarët gjatë procesit të vettingut. Sipas tij, llogaritjet aktuale kanë shpërfillur dietat zyrtare të përfituara gjatë detyrave si ministër i Jashtëm dhe President, duke argumentuar se shpenzimet e tij janë mbuluar shpesh nga protokolle zyrtare ndërkombëtare. Ish-presidenti pohoi se ka njohur vetëm të ardhurat nga rroga e shtetit, të cilat i ka administruar si të ardhura familjare.
Lidhur me mbarëvajtjen e procesit, Ilir Meta bëri të ditur se deri javën e ardhshme do të rakordohet me avokatin e tij për ndarjen e dëshmitarëve sipas episodeve të çështjes. Ai shprehu gjithashtu pakënaqësi mbi mungesën e veprimeve lidhur me një kallëzim të bërë më herët prej tij për rrëmbim, duke u shprehur se kjo situatë nuk është e rastësishme.