Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, tha në një bisedë për Ekonomia Online se subvencionet dhe grantet për kulturat e dëmtuara nga vërshimet e këtij viti do të hapen para fundit të vitit.
Sipas Mujës, komunat, përfshirë Istogun, i kanë vlerësuar dëmet dhe ia kanë dërguar të dhënat Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME). Ai tha se, që nga viti 2023, në bazë të ligjit për fatkeqësitë natyrore, kompetenca për trajtimin e këtyre çështjeve i takon AME-së, ndërsa Ministria e Bujqësisë bashkëpunon në këtë proces.
Muja tha se Qeveria ka krijuar një grup punues për t’u marrë me këto çështje. Sipas tij, roli i ministrisë është të ndihmojë në rigjenerimin e prodhimit përmes subvencioneve dhe granteve për kulturat e dëmtuara, të cilat synojnë t’u dalin në ndihmë fermerëve në nevojë.
Komuna e Istogut pësoi dëmet më të mëdha bujqësore, të cilat arritën në 2.9 milionë euro. Breshri shkatërroi pothuajse plotësisht pemëtarinë, veçanërisht mollët në Kovragë, si dhe hektarë të tërë me shalqi e perime.