Në Tiranë u mbajt sot për herë të parë Kuvendi Kombëtar i Protestës, një takim që synonte diskutimin mbi hapat e mëtejshëm të lëvizjes qytetare, por që u përball me debate të ashpra që në momentet e para.
Tensionet nisën pas kritikave të disa pjesëmarrësve, të cilët kontestuan mënyrën e organizimit dhe përbërjen e të pranishmëve. Një prej protestuesve vërejti se mosha mesatare në sallë ishte mbi 45 vjeç dhe se mungonin përfaqësues të marshimeve të mëparshme.
Situata u përshkallëzua kur disa qytetarë kërkuan fjalën, por u ndaluan nga organizatorët me argumentin se duhej të ndiqej rendi i caktuar i ditës. Një incident u regjistrua kur tre persona tentuan të largonin me forcë një qytetar që kishte zënë vend në rreshtin e parë, megjithatë, ai refuzoi të lëvizte nga karrigia.
Një prej organizatorëve, në përgjigje të kërkesave për fjalë nga salla, deklaroi: "Nuk ma ka ndier kur kam pasur 300 veta përballë, jo më juve. Prandaj mos na sfidoni, mos na merrni neve sikur jemi të butë". Ky qëndrim shkaktoi reagime të menjëhershme nga pjesëmarrësit. Moderatorja e takimit u përpoq të qetësonte situatën duke konfirmuar se kuvendi është i hapur për të gjithë qytetarët.
Në përfundim, një prej organizatorëve theksoi domosdoshmërinë e artikulimit të kërkesave përtej sheshit. Ai bëri thirrje që lëvizja të mos përsërisë skenarin e protestave të gjata në Serbi, të cilat, sipas tij, nuk prodhuan ndryshimet e dëshiruara politike.