Ngjarja e rëndë është regjistruar në një banesë në rrugën Via dell’Antracite në numrin 12. Alarmi është dhënë nga një familjar i cili nuk mundi të kontaktonte me viktimat, duke detyruar ndërhyrjen e zjarrfikësve për hapjen me forcë të derës së apartamentit. Sipas hetimeve paraprake të Karabinierëve të kompanisë Roma Montesacro, të tre anëtarët e familjes janë gjetur në dhomën e gjumit me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Hetuesit po punojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes. Në banesë është gjetur një pistoletë, e cila dyshohet se mbahej ligjërisht nga kryefamiljari 42-vjeçar, i cili punonte si teknik informatik. Gjithashtu, autoritetet po verifikojnë disa shënime të gjetura në vendin e ngjarjes, përmbajtja e të cilave mund të shpjegojë rrethanat e aktit fatal.
Një element tjetër që po analizohet nga grupi hetimor është gjetja e qenit të familjes i ngordhur, gjithashtu me plagë nga arma e zjarrit. Viktimat përshkruhen nga burimet si një familje e zakonshme, me vajzën e tyre që vuante nga aftësi të kufizuara. Autoritetet italiane vijojnë ekspertizat për të përcaktuar me saktësi se kush ka përdorur armën dhe motivet pas kësaj ngjarjeje.
Përditësime
Autoritetet identifikuan viktimat e tragjedisë së ndodhur të hënën, më 31 gusht, në zonën Pietralata të Romës. Bëhet fjalë për një grua 41-vjeçare dhe vajzën e saj 5-vjeçare. Alarmi u dha rreth orës 13:00 nga një familjar, pasi humbi kontaktet me viktimat. Hetuesit po ndjekin pistën kryesore të vrasjes së ndjekur nga vetëvrasja, bazuar në provat e mbledhura në vendngjarje.