Tre shtetas nga Shkupi janë vënë në pranga nga efektivët e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) pas një tentative për të përfituar kredi përmes mashtrimit. Arrestimi është kryer më datë 29 korrik nga zyrtarët e Sektorit për Punë të Brendshme të Shkupit, përkatësisht nga Njësia për Krim Ekonomik dhe Krim Kompjuterik.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari kryesor I.T., në bashkëpunim me S.T. dhe P.P., ka paraqitur kërkesë në një bankë të kryeqytetit për të marrë një kredi në vlerë prej 900.000 denarësh. Për të realizuar këtë qëllim, ata kanë përdorur një letërnjoftim të falsifikuar me të dhënat e një personi tjetër, si dhe një dosje kreditore po ashtu të falsifikuar.
Mashtrimi është parandaluar nga punonjësit e bankës, të cilët kanë konstatuar parregullsi në dokumentacionin e paraqitur dhe kanë njoftuar menjëherë autoritetet. Tre të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë gjatë momentit kur dokumentet po verifikoheshin nga stafi i bankës.
Aktualisht, në koordinim me prokurorin publik kujdestar, të ndaluarit janë dërguar para gjyqtarit të procedurës paraprake për marrjen e masave të sigurisë. Ndaj tyre ka nisur procedura penale për dy vepra:
- Falsifikim të dokumentit
- Keqpërdorim të të dhënave personale